Vendim për papranueshmërinë e rastit që lidhet me vendimin për ndërprerjen e punësimit duke u bazuar në dëshmitë nga komunikimi privat i të punësuarit

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri kërkesën si të papranueshme në rastin Garamukanwa kundër Mbretërisë së Bashkuar (kërkesa nr. 70573/17, 06.06.2019). 

Rasti kishte të bënte me shkarkimin e Garamukanwa nga një ofrues shtetëror i shërbimit shëndetësor pas një hetimi për ngacmim duke u bazuar në fotografitë e ruajtura në iPhone-in e tij, email dhe korrespondencën WhatsApp. 

Kërkuesi, George Garamukanwa, ishte punësuar nga Trusti Kombëtar i Shërbimit Shëndetësor (‘The Trust’) nga tetori i vitit 2007 si menaxher klinik. 

Në qershor 2012 L.M., një kolege me të cilën ai kishte pasur lidhje, ngriti shqetësime te menaxheri i saj për email-ët që i kishte dërguar ai dhe të punësuarit e tjerë lidhur me marrëdhënien e saj të supozuar me një pjesëtar të ri të stafit. Menaxheri e paralajmëroi kërkuesin se sjellja e tij ishte e papërshtatshme. Ai u suspendua në prill 2013 kur policia e informoi Trustin se po hetonin pretendimet e L.M. se ai po e ndiqte dhe po e ngacmonte dhe po u dërgonte porosi anonime qëllimkëqia të punësuarve të tjerë të Trustit.

Trusti e përjashtoi nga puna parashtruesin në dhjetor të vitit 2013 për sjellje të pahijshme. Trusti u mbështet në veçanti në fotografitë e ruajtura në iPhone-in e tij, të cilat ia përcolli policia, duke e lidhur kërkuesin me disa porosi anonime, si dhe disa korrespondenca  personale dhe mesazhe të WhatsApp-it të shkëmbyera ndërmjet kërkuesit dhe të punësuarve të tjerë. Kërkuesi i kishte ofruar vullnetarisht disa nga korrespondencat në njërën nga seancat disiplinore. 

Ai e sfidoi shkarkimin e tij në gjykatë, në veçanti duke thënë se Trusti ishte mbështetur në materiale private. Pretendimi i tij u hodh poshtë përfundimisht në vitin 2016 në apel. Gjykatat gjetën se ai nuk mund të kishte shpresë të arsyeshme se provat në të cilat u mbështet Trusti do të mbeteshin private.

Duke u bazuar në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, shtëpisë dhe korrespondencës), kërkuesi u ankua se vendimet e gjykatave vendore që mbështetin shkarkimin e tij përbënin shkelje të së drejtës së tij për privatësi.

Gjykata konstatoi se kërkuesi nuk mund të kishte arsye të shpresonte se fotografitë dhe komunikimet në të cilat u mbështet paneli disiplinor për ta shkarkuar atë do të mbeteshin private. Punëdhënësi i tij i kishte thënë se sjellja e tij ishte e papërshtatshme pothuajse një vit para se policia të kishte nisur hetimin për pretendimet e ngacmimit dhe para pezullimit të tij nga puna. Kërkuesi gjithashtu nuk kishte provuar ta sfidonte shfrytëzimin e materialit nga iPhone-i apo nga ndonjë korrespondencë private gjatë seancës disiplinore. Përkundrazi, ai i kishte ofruar vullnetarisht panelit korrespondencat e tij private.

Duke pasur parasysh se gjykatat vendore arritën në të njëjtin përfundim, Gjykata gjeti se kërkuesi nuk ofroi arsye serioze për të dëshmuar të kundërtën dhe prandaj e refuzoi kërkesën e tij si të papranueshme.

Gjykata gjithashtu vuri në dukje se rasti mund të dallohet nga një rast tjetër i kohëve të fundit lidhur me privatësinë e komunikimeve në vendin e punës, Bărbulescu kundër Rumanisë (nr. 61496/08), ku kishte gjetur se një i punësuar nuk ishte njoftuar për masën dhe natyrën e monitorimit të komunikimeve të tij nga ana e punëdhënësit.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut