Revokimi i licencës përmes zbatimit retroaktiv të ligjit të ri ka çuar në shkeljen e të drejtës së pronës

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se: me katër vota pro, tre kundër, ka pasur shkelje të Nenit 7 (nuk ka dënim pa ligj) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës Europiane në rastin Rola kundër Sllovenisë (kërkesa nr. 12096/14).

Rasti kishte të bënte me ankesën e një likuidatori se e kishte humbur licencën për të vepruar në procedurat e bankrotimit pas dënimit të tij për sjellje të dhunshme. Kërkuesi thoshte se në kohën kur ai ishte pajisur me licencë ligji nuk parashihte revokimin në rast të dënimit për vepër penale. Revokimi i licencës së tij u bazua në legjislacionin e ri të miratuar në vitin 2008, andaj në kohën kur ai e kishte kryer veprën penale nuk mund të ketë parashikuar një ndëshkim të tillë dhe se legjislacioni nuk do të duhej të zbatohej në mënyrë retroaktive.

Gjykata gjeti se revokimi i licencës së z. Rola nuk paraqiste dënim penal. Neni 7 rrjedhimisht nuk ishte i zbatueshëm në rastin e tij dhe nuk kishte shkelje të asaj dispozite. Megjithatë, revokimi i licencës përbënte ndërhyrje në të drejtën e papenguar mbi pronën e tij, sepse atij më nuk i lejohej ta ushtronte profesionin e tij i cili ishte burimi kryesor i të ardhurave të tij. Për më tepër, ajo ndërhyrje nuk ishte e ligjshme. Ajo ishte bazuar në një ligj i cili nuk ishte në fuqi në kohën kur z. Rola e kishte kryer veprën penale, dhe prandaj ai nuk mund të kishte parashikuar se dënimi i tij automatikisht do të çonte në revokimin e licencës së tij. Për më tepër, ligji i cili do të duhej të ishte zbatuar në mënyrë eksplicite thoshte se një masë e tillë nuk mund të urdhërohej nëse, siç ishte edhe rasti me z. Rola, vepra penale kishte prodhuar vetëm dënimin e pezulluar. 

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut