17 Mar Raportet vjetore të Departamentit të Shtetit për Ballkanin
Raportet më të fundit të të drejtave të njeriut të përgatitura nga Departamenti i Shtetit thanë se ndikimi politik dhe kontrolli i drejtpërdrejtë ose i tërthortë mbi mediat, si dhe fushatat nxitëse, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, kanë bërë që mjedisi i mediave të përkeqësohet në shumicën e vendeve të Ballkanit.
Raporti për Serbinë thotë: “Megjithëse organizatat e pavarura të mediave vazhdojnë të ekzistojnë dhe shprehin një varg të gjerë pikëpamjesh, organizatat e shtypit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se presioni i qeverisë mbi mediat po thellohet.” Raporti shtoi: “Ka pasur raporte se qeveria ka kërkuar në mënyrë aktive të orientojë raportimin e medias drejt një numri çështjesh”.
Në Shqipëri, keqpërdorimi i mediave nga pronarët është theksuar si çështje kryesore. Pjesa për Shqipërinë thekson gjithashtu kërcënimet nga autoriteti i telekomunikacionit për mbylljen e faqeve të internetit, botimin e BIRN-it në gjuhën shqipe Reporter.al dhe paditë për shpifje të paraqitura nga Gjykatësi Gjin Gjoni kundër gazetarëve të BIRN Albania dhe Shqiptarja.com.
Ndryshe nga vendet e tjera, raporti thotë se klima e mediave në Maqedoninë e Veriut është përmirësuar. “Ndërsa mediat dhe raportimet vazhduan të ndahen kryesisht përgjatë vijave politike, numri i mediave të pavarura shprehnin në mënyrë aktive një sërë pikëpamjesh pa kufizime të mëdha”, thotë raporti.
Departamenti i Shtetit paralajmëroi se autoritetet malazeze nuk kanë rezultate të mira sa i përket ndjekjes penale të vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar, porse në vitin e fundit janë rritur ndjekjet penale të rasteve të vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar. Raporti gjithashtu vuri në dukje se OJQ-të theksuan se një numër i policëve në Malin e Zi janë gjetur fajtorë për shkeljen e rregullave të shërbimit të tyre, duke përfshirë rastet e përdorimit të tepruar të forcës gjatë kohës sa janë në detyrë. Në pjesën për Malin e Zi, raporti gjithashtu theksoi se “sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë të jenë problem serioz”, duke shtuar se mediat e pavarura dhe proopozitare janë ankuar për trajtimin e padrejtë dhe presionin ekonomik nga ministritë dhe agjencitë qeveritare.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, ndër problemet në këtë vend raporti përmend sulmet kundër serbëve. “Në shtatë muajt e parë të vitit, ka pasur më shumë se 100 incidente që përfshijnë vjedhje, plaçkitje, ngacmime verbale dhe dëmtim të pronës së serbëve të Kosovës dhe të Kishës Ortodokse Serbe”, tha raporti. Raporti gjithashtu vuri në dukje korrupsionin shumë të përhapur në radhët e qeverisë së Kosovës, si dhe kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve.
Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raporte vjetore për të drejtat e njeriut që nga viti 1977 dhe mbulon një varg të gjerë çështjesh, duke përfshirë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
Më herët këtë vit, OJQ Freedom House e uli rangimin e Serbisë nga e Lirë në Pjesërisht e Lirë, së bashku me Hungarinë.
Më shumë rreth këtyre raporteve mund të lexoni në:
https: //www.state.gov/j/drl/rls/hrrpt/humanrightsreport/#wrapper