Paraburgimi i kërkuesit nuk ishte në përputhje me Konventën pasi u bë e qartë se ai nuk mund të deportohej në një vend të tretë të sigurtë

Në rastin Al Husin kundër Bosnjës dhe Hercegovinës (nr. 2) (kërkesa nr.  10112/16, 25/06/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur:

  • se ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me paraburgimin e kërkuesit nga gushti 2014 deri në shkurt 2016, dhe
  • nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 1 sa i përket paraburgimit të tij nga korriku 2012 deri në mars 2013, dhe nga marsi 2014 deri në gusht 2014.
  • dhe nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 (e drejta për liri dhe siguri / procedura të ligjshmërisë së paraburgimit). 

Kërkuesi, Imad Al Husin, u lind në Siri dhe aktualisht jeton në Ilixha, në kantonin e Sarajevës (Bosnjë dhe Hercegovinë). Z. Al Husin ka studiuar në ish-Jugosllavi në vitet 1980 dhe ka luftuar si pjesë e njësitit të muxhahedinëve të huaj në anën boshnjake gjatë luftës së viteve 1992-1995. Dikur, ai mori edhe shtetësinë boshnjake por ajo iu hoq në vitin 2017. Ai u vendos në një qendër të mbajtjes së emigrantëve në tetor të vitit 2008 si rrezik ndaj sigurisë nacionale. Ai kërkoi azil, por kjo u hodh poshtë dhe u lëshua urdhër për dëbimin e tij në shkurt të vitit 2011.

Kërkuesi parashtroi kërkesën e parë në Gjykatë në janar 2008 (kërkesa nr. 3727/08). Në shkurt 2012, Gjykata gjeti se ai do të ballafaqohej me shkelje të të drejtave të tij sipas Nenit 3 (ndalimi i torturës) nëse dëbohej në Siri, dhe se paraburgimi i tij nga tetorit 2008 deri në fund të janarit 2011 përbënte shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri) meqë nuk kishte urdhër dëbimi.

Autoritetet lëshuan urdhër të ri dëbimi në mars 2012, dhe vazhduan me paraburgimin e tij mbi bazën e sigurisë nacionale.

Në ndërkohë, autorietet provuan të gjejnë një vend të tretë të sigurtë për ta deportuar, por shumë vende në Europë e në Lindje të Mesme refuzuan ta pranonin. Në shkurt 2016, ai u lirua me kufizime, siç është ndalesa për t’u larguar nga zona e vendbanimit të tij dhe paraqitja në polici. 

Gjykata gjeti në veçanti se nga gushti 2014, autoritetet duhet ta kishin pasur të qartë se asnjë vend nuk donte ta pranonte kërkuesin, i cili ishte klasifikuar si rrezik për sigurinë nacionale. Ai nuk ishte liruar deri në shkurt 2016, ndërsa kërkimi për vendin e tretë të sigurtë po vazhdonte. Andaj, në këtë rast ka pasur shkelje të të drejtave të tij sipas Nenit 5§ 1 (f) për periudhën nga gushti 2014 deri më 17 shkurt 2016, por nuk ka pasur shkelje nga 9 korriku 2012 deri më 21 mars 2013, dhe nga 14 marsi 2014 deri në gushti 2014.

  1. Al Husin pretendonte se ai nuk ka qenë në gjendje ta sfidonte ligjshmërinë e paraburgimit të tij meqë nuk kishte qasje në provat që lidheshin me çështjet e sigurisë nacionale.

Gjykata gjeti se kërkuesit i ishte mundësuar qasja në prova të cilat ishin cilësuar si prova të hapura, se kishte përfaqësim ligjor, dhe se kishte përfituar nga shqyrtimi në Gjykatën Shtetërore, atë të Apelit dhe Gjykatën Kushtetuese. Për më tepër, disa prej pretendimeve kundër tij kanë qenë shumë specifike, duke i mundësuar atij që t’i sfidonte ato. Në përgjithësi, atij i është ofruar mundësi e arsyeshme për ta paraqitur rastin e tij, dhe kësisoji nuk ka pasur shkelje të Nenit 5 § 4 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut