Mbrojtja e jetës private të viktimës në gjykimin e përdhunimit

Në rastin Mraović kundër Kroacisë (kërkesa nr. 30373/13) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me gjashtë vota pro një kundër ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata konstatoi se arsyetimi i gjykatës vendore për përjashtimin e publikut nga seancat, përkatësisht mbrojtjen e jetës private të viktimës, ishte i arsyeshëm.  

Rasti kishte të bënte me balancimin e së drejtës së kërkuesit për një seancë publike në procedurë kundër tij për akuzën e përdhunimit dhe të drejtës së viktimës për mbrojtjen e jetës së saj private. 

Duke u mbështetur në Nenin 6 1 (e drejta për gjykim të drejtë), z. Mraović u ankua se gjykatat vendore kishin justifikuar përjashtimin e publikut nga dëgjimi i çështjes së tij thjesht nga nevoja për të mbrojtur jetën private të viktimës, pa e balancuar këtë me të drejtën e tij për dëgjim publik.

Së pari, Gjykata theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të viktimave të abuzimit seksual në procedurat penale. Në veçanti, sistemi i drejtësisë nuk duhet t’i rrisë vuajtjet e viktimave të krimit ose t’i dekurajojë të raportojnë incidente.

Gjykata gjithashtu pranoi se Shteti kishte pasur obligim të sigurojë një shkallë edhe më të lartë të mbrojtjes ndaj viktimës në rastin konkret duke pasur parasysh se autoritetet e policisë kishin shkelur privatësinë e saj duke publikuar në mënyrë të paligjshme informacionin e saj personal në fillim të çështjes. Për më tepër, një informacion i tillë mund të zbulohet në çdo fazë të gjykimit penal, jo vetëm gjatë marrjes në pyetje të viktimës. Prandaj, mbyllja e vetëm një pjese të procedurave nuk do të ishte e mjaftueshme për ta mbrojtur atë nga turpërimi dhe stigmatizimi i mëtejshëm. 

Gjykata ishte e bindur se gjykata vendore, duke përdorur diskrecionin e saj për të vendosur që procedurat të mos zhvilloheshin në publik, nuk veproi kundër të drejtave të kërkuesit dhe ishte e arsyeshme të konsiderohej se kjo qasje ishte e nevojshme për mbrojtjen e jetës private të viktimës. Për më tepër, një qasje e tillë ishte në përputhje me standardet aktuale të BE-së dhe ato ndërkombëtare për këtë çështje. Andaj, nuk kishte pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut