Disa shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e Aleksey Navalnyy kundër Rusisë

Në rastin e Navalnyy kundër Rusisë (parashtresa nr. 29580/12 dhe katër të tjerëve, 15.11.2018) Dhoma e Madhe e Gjykatës Evuropiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri gjeti se kishte pasur shkelje të shumta të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me parashtresën e parashtruesit se arrestimi, paraburgimi dhe dënimi administrativ në shtatë raste në vitin 2012 dhe 2014 kishin shkelur të drejtat e tij dhe ishin të motivuara politikisht. Parashtruesi, Aleksey Anatolyevich Navalnyy, është shtetas rus i cili është aktivist politik, lider i opozitës, aktivist kundër korrupsionit dhe bloger.

Dhoma e Madhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut gjeti:

  • shkelje të Nenit 5 § 1 (e drejta për liri dhe siguri/ligjshmëri të arrestimit ose ndalimit) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut;
  • shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) për gjashtë grupe të procedurave administrative,
  • se nuk ka shkelje të Nenit 6 § 1 për grupin shtatë të procedurave administrative; dhe
  • shkelje të Nenit 11 (liria e tubimit dhe asocimit) të Konventës Europiane.

Gjykata gjithashtu, me katërmbëdhjetë vota pro dhe tre kundër, gjeti shkelje të Nenit 18 (kufiri i zbatueshmërisë së kufizimeve të të drejtave) të Konventës.

Dhoma e Madhe, duke mbështetur arsyetimin e një gjykim të Dhomës në këtë rast, gjeti shkelje të të drejtave të z. Navalnyy sipas Nenit 5 dhe Nenit 6 për shkak të shtatë arrestimeve të tij dhe dy rasteve të paraburgimit. Gjykata gjeti se nuk kishte asnjë arsye pse raportet e kundërvajtjes administrative për Z. Navalnyy nuk mund të ishin hartuar në vendin e ngjarjes, në vend se në stacion policor.

Gjykata gjithashtu gjeti shkelje të Nenit 11, duke konsideruar se dy nga arrestimet kishin mungesë të qëllimit legjitim, ndërsa pesë të tjerat nuk kishin qenë të nevojshme në një shoqëri demokratike. Asnjë nga tubimet në fjalë nuk kishte shkaktuar pengesë, por të gjitha ishin shpërndarë.

Gjykata gjeti se ankesa e z. Navalnyy sipas Nenit 18 që arrestimet ishin të motivuara politikisht përbënin “aspektin themelor” të rastit. Duke u fokusuar në dy prej arrestimeve, Gjykata u shpreh se ata kishin për qëllim të shtypnin pluralizmin politik, duke shkelur Nenin 18 në lidhje me Nenin 5 dhe 11. Gjykata gjithashtu rekomandoi sipas Nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) të Konventës Europiane që Qeveria të marrë masa për të siguruar të drejtën për tubim paqësor në Rusi.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut