Dështimi i gjykatave vendore të zbatojnë vendimin e gjykatës lidhur me të drejtën e kontaktit me fëmijën

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 në rastin Vyshnyakov kundër  Ukrainës (nr. 25612/12, 24.07.2018). Rasti kishte të bënte me të drejtat e ankuesit për të mbajtur kontakt me të bijën e tij pas divorcit në vitin 2009.

Në qershor 2009, pas divorcit, gjykatat vendore i dhanë ankuesit të drejtën ta shihte të bijën e tij dyvjeçare tri herë në javë. Që atëherë ai u mundua ta realizonte këtë vendim në një numër rastesh, por pa sukses.

Në rastin e parë, në vjeshtë 2009, përmbaruesit nuk bënë përgatitje për realizim sepse procedura nuk ishte specifikuar me ligj. Në rastin e dytë, më 2012 përmbaruesi konsideroi se vendimi i qershorit 2009 ishte realizuar plotësisht pasi ia kishte lexuar pjesën operative nënës së fëmijës.

Ky vendim pastaj u konfirmua nga gjykatat. Ankuesi solli një numër procedurash tjera për t’u ankuar për refuzimin e nënës për t’iu bindur vendimit, si dhe kërkesën për dëme, por pa sukses. Ai vazhdimisht u ankua edhe në polici.

Më 2014, ai gjithashtu u kërkoi gjykatave ta ndryshonin vendbanimin e vajzës së tij në Mykolayiv, ku jeton ai, sepse nëna dhe vajza në ndërkohë ishin zhvendosur 600 kilometra nga Selydove, në rajonin Donetsk. Megjithatë, gjykatat e hodhën poshtë kërkesën e tij, duke i refuzuar argumentet e tij se ai ishte në pozitë më të mirë financiare se nëna, e cila ishte e papunë, dhe se Selydove ishte zonë konflikti dhe e rrezikshme për fëmijën.

Ankuesi u ankua në veçanti lidhur me dështimin e gjykatat vendore të zbatonin vendimin e gjykatës e cila ia jepte të drejtën ta shihte vajzën e tij. Gjykata konsideroi se gjatë procedurave të realizimit autoritetet nuk i kishin marrë parasysh aranzhimet për respektim të vullnetshëm të vendimit. Për më tepër, mungesa e masave të respektimit të vullnetshëm i kanë zvogëluar në masë të konsiderueshme mundësitë për bashkëpunim me prindin pengues.  Por, nuk ishte bërë as ndonjë aranzhim i detyrueshëm. Përmbaruesit kishin kompetenca të shqiptonin gjoba dhe të kërkonin ndjekje penale për mosrespektim të vendimit gjyqësor por – për arsye të panjohura – ato kompetenca nuk u shfrytëzuan.

Në këto rrethana Gjykata ka gjetur se autoritetet vendore kanë dështuar të ndërmarrin masa të nevojshme, të mjaftueshme dhe të shpejta për t’ia siguruar të drejtën ankuesit për ta parë vajzën e tij të mitur. Vendimi nuk u mbështet me procedura të nevojshme të zbatimit për më shumë se gjashtë vite. Andaj, në këtë rast ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës sa i përket mosrespektimit të vendimit që i garanton ankuesit të drejtën për ta parë fëmijën.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.